Sektori i projekteve të prodhimeve artistike

Rregullorja

SPPA në DIGITALB, fton të gjithë subjektet e interesuara, pa kufizime nga statusi i tyre juridik, për të paraqitur pranë saj ide, projekte dhe produkte të përfunduara, të cilat subjekti i gjykon me interes të ndërsjellë.

Për të gjitha subjektet dhe palët e interesuara për partneritet me DIGITALB nëpërmjet SPPA, ofrohen dy forma kryesore të bashkëpunimit për projektet që mund të paraqiten:

  1. Njëra prej tyre është financimi/prodhimi i projektit të paraqitur nga ana e subjektit, me DIGITALB.
  2. Forma tjetër është aplikimi për produksione të përfunduara dhe të paraqitura pranë SPPA, me qëllim blerjen e të drejtave të përdorimit/transmetimit dhe të drejtave të autorit nga DIGITALB.
  • Për të orientuar sa më saktë interesin dhe angazhimin e subjekteve aplikuese, SPPA u rekomandon këtyre subjekteve njohjen paraprake me përmbajtjen e dokumenteve të pasqyruara në seksionin Si të aplikojmë, si dhe informim më të hollësishëm në lidhje me Kategoritë/zhanret/nënzhanret të cilat mund të kategorizojnë projektin e paraqitur në mënyrë më specifike.
  • Subjektet aplikuese mund t’i paraqesin projektet e tyre në gjithë shtrirjen kohore të shpallur në Ftesën vjetore.
  • Subjektet aplikuese mund të paraqesin një ose më shumë se një projekt, në të njëjtën kategori, gjini apo njësi tjetër programore, apo në secilën prej tyre.
  • Subjektet aplikuese do t’i depozitojnë fillimisht projektet e tyre në format elektronik, në përputhje me kërkesat e kësaj rregulloreje, në adresën sppa@digitalb.tv.

Brenda një periudhe 45 ditore, SPPA do të njoftojë subjektin aplikues për pranimin ose jo të projektit. Pranimi nënkupton përzgjedhjen e projektit për procedimin e mëtejshëm të përpunimit të tij drejt vendimmarrjes për financim. Me marrjen e njoftimit për pranimin, subjekti aplikues duhet të dorëzojë kopjen e printuar e të certifikuar të projektit, sipas kërkesave të kësaj rregulloreje, pranë Zyrës së SPPA në DIGITALB. Mosplotësimi i standardeve të kërkuara të këtyre kushteve dhe i dokumentacionit shoqërues për aplikimin shkakton përjashtimin mekanik të projektit nga procesi i miratimit.

Strukturat e miratimit të projekteve në DIGITALB gjykojnë, vendosin dhe shpallin projektet fituese për financim e prodhim katër herë në vit, si rregull javën e fundit të muajve mars, qershor, shtator, dhjetor.

Vendimi u njoftohet brenda pesë ditëve subjekteve aplikuese, ndërsa subjekteve të projekteve fituese u përcaktohet edhe data e negocimit të termave të kontratës së financimit/prodhimit.