Dokumentari muzikor është një zhanër që nuk njeh krizë, me një rritje prodhimesh cilësore në vitet e fundit. Një ndër specialistët në këtë fushë është Mat Whitecross, që në vitin 2016 realizoi “Oasis: Supersonic”, dhe tani pritet të sjellë një tjetër për një grup britanik tepër të pëlqyer.

“A Head Full of Dreams” është një film dokumentar rreth “Coldplay” xhiruar në 20 vjet. Vetë Whitecross ka nisur xhirimet që në hapat e parë të grupit, që nga provat e para të tyre. Arsyeja është e thjeshtë, është ai që ka drejtuar shumicën e videove të tyre.

“Coldplay”, me lider dhe këngëtar Chris Martin, si dhe Jonny Buckland, Will Champion e Guy Berryman, kanë shitur mbi 75 milionë albume në të gjithë botën dhe kanë pasur një rol të rëndësishëm në muzikën e dy dekadave të fundit. Këngë si “Yellow”, “Paradise”, “The Scientist”, “Fix it”, kanë qenë në një farë mënyre pjesë e jetës sonë, dashur apo pa dashur, duke i dëgjuar ose në trailera, filma apo seriale televizive.

Së fundi doli dhe traileri i dokumentarit “A Head Full of Dreams”, ku mund të shihet edhe aksesi ekskluziv që ka pasur regjisori Whitecross.

Source: Tendence