Pharrell Williams dhe Robin Thicke duhet t’i paguajnë 5 milionë dollarë familjes së Marvin Gaye. Kështu vendosi një gjykatë në Kaliforni, pasi u vërtetua se kënga e dy artistëve “Blurred Lines”, e dalë në vitin 2013, që kujtohet dhe si trampolina e suksesit të Emily Ratajkowski, është shumë e ngjashme me “Got to Give It Up”, e Gaye, e vitit 1977.

Dy vjet pas daljes në treg të “Blurred Lines”, në vitin 2015, kënga u denoncua nga shoqëria që kujdeset për interesat e Marvin Gaye, për thyerje të ligjit për “copyright” dhe për plagjiaturë të “Got to Give It Up”.

Shoqëria kishte kërkuar 7 milionë dollarë dëmshpërblim, por gjykata e vendosi shifrën 4.98 milionë.

Sipas “Billboard”, prej tani e tutje, familja e Gaye duhet të marrë 50% të të drejtave të autorit për çdo të ardhur prej këngës.

 

 

Source: Tendence