“Deadline” shkruan se punimet për “Breaking Bad” e ri po ecin shumë mirë. Pavarësisht sekretit që mbërthen projektin, është mësuar se më parë do të shpërndahet në “Netflix”, më pas në kanalin televiziv “AMC”, që ka dhe të drejtat e serialit origjinal.

Në fakt, nuk është hera e parë që ndodh, pasi dy kolosët amerikanë kanë bashkëpunuar në këtë mënyrë edhe për serialin me protagonist Walter White, që më parë u dha në platformën streaming.

Nuk dihen shumë detaje rreth këtij projekti, nëse do të jetë një film i tërë i gjatë, apo i ndarë në episode në një hark të caktuar kohor.

Seriali origjinal u bë një fenomen botëror, që zgjati 5 sezone, duke shfaqur pranë publikut personazhe si Walter White, Jesse Pinkman e Saul Goodman. Suksesi gjeneroi dhe projektin spin-off “Better Call Saul”.

Sipas “Deadline”, “Breaking Bad” i ri do të shënojë dhe rikthimin e Aaron Paul, në rolin e karizmatikut Jesse Pinkman. Për momentin, nuk ka asnjë informacion për rikthimin e Bryan Cranston, si protagonisti kryesor i serialit origjinal.

Source: Televizion