Pas një maratone të gjatë negociatash, Parlamenti, Këshilli dhe Komisioni Europian arritën akordin për reformën e “copyright”, që garanton më shumë të drejta dhe shpërblim më të drejtë për botuesit, artistët, autorët dhe gazetarët kundrejt platformave “online”, si “Google”, “Facebook” e “YouTube”. Për presidentin e PE-së, Antonio Tajani, kështu mbrohet kreativiteti europian.

“Akord i arritur për “copyright””, shkroi në “Twitter” zv/presidenti i KE-së, Andrus Ansip. “Tani, europianët do të kenë më në fund rregulla moderne për të drejtat, përshtatur në erën digjitale me përfitime reale për të gjithë; të drejta të garantuara për përdoruesit, shpërblim i drejtë për krijuesit, rregulla të qarta për platformat”.

“Krijuesit, përfshirë muzikantët, aktorët dhe gazetarët janë më të mbrojtur nga rregullat”, -shkroi në “Twitter” Parlamenti Europian. “Meme, gif e snippet-et e artikujve janë të shpëtuar, ndërsa platformat start up, të mbrojtura”.

“Akordi mbi direktivat e “copyright” mbron kreativitetin europian. Muzikantët, aktorët, shkrimtarët, gazetarët dhe audiovizivët do të kenë të drejtën për një shpërblim të drejtë edhe nga gjigantët e uebit”, shkroi presidenti i PE-së, Antonio Tajani.

Source: Teknologji