“Grey’s Anatomy” është një ndër serialet më të ndjekura të “ABC”-së, që në 14 sezone bëri për vete shumë teleshikues. Një ndër personazhet kyç është doktoresha Meredith, e interpretuar nga Ellen Pompeo, e cila foli dhe për përfundimin e dramës mjekësore, që mund të jetë tepër i afërt.

Gjatë një interviste për “Entertainment Weekly”, aktorja deklaroi: “Për momentin nuk jam gati për një njoftim zyrtar për të ardhmen time në serial, por kam përshtypjen se kemi treguar shumicën e historive që mund të eksploroheshin. Jam në kërkim të një ndryshimi”.

Kontrata e Ellen Pompeo do të skadojë me sezonin 16, që pritet të përfundojë në vitin 2020. Më përpara, aktorja ka shprehur dëshirën për t’u ulur pas kamerës dhe të drejtonte një episod pilot të serialit.

Shonda Rhimes, krijuesja e “Grey’s Anatomy”, do të rikthehet si regjisore e episodit të fundit, kur të arrijë momenti: “E kam shkruar fundin e serialit të paktën gjashtë herë, por çdo herë nuk arrija ta përfundoja plotësisht, kështu që hoqa dorë. Le të shohim se si do të rrjedhin ngjarjet”.

Premiera e “Grey’s Anatomy 15” do të jetë me 27 shtator, në “ABC”.

Source: Televizion