Për kukullën ikonike, Barbie, së shpejti do të punohet për një film gjysmë të animuar për të, por me këto përmasa vështirë të gjendet një aktore për rolin e saj.

Gjithsesi, qarkullojnë lajmë se aktorja e njohur Margot Robbie mund të jetë duke konkurruar pikërisht për të qenë “Barbie” e ardhshme.

“The Hollywood Reporter” ka treguar se Margot është në bisedime e sipër me kompaninë “Warner Bros”. Filmi synon të arrijë standarde të larta dhe të mos ketë të njëjtin përfundim si ato me Amy Schumer dhe Anne Hathaway që u lanë përgjysmë.

Thuhet gjithashtu se për prodhimin e filmit do të ngarkohet kompania e vetë aktores. Ky do të jetë një tjetër sukses për të.

Barbie, përveç përmasave të trupit të paarritshme, ka dhe rreth 150 përvoja pune në CV e saj duke filluar nga infermiere, instruktore aerobie e deri te pilote dhe oficere policie.

Megjithëse asgjë nuk është konfirmuar, Margot me flokët e saj të gjatë biondë, sytë blu dhe një buzëqeshje perfekte, me siguri do të përshtatej siç duhet me këtë rol.

Source: Televizion