Dua Lipa bëri histori në “Grammy”, mori dy çmime. U shpall fituese në kategorinë “Kënga më e mirë ritmike”, për “Electricity”, në bashkëpunim me Mark Ronson dhe Diplo. Gjithashtu triumfoi edhe në një ndër kategoritë më të mira të ceremonisë, “Artisti i ri më i mirë”.

Këngëtarja me origjinë kosovare përdori fjalimin e saj për t’u dërguar një mesazh solidariteti dhe mbështetje fansave, por edhe për të thumbuar “Recording Academy”, kompaninë që organizon dhe vendos se kush duhet të shkojë në “Grammy Awards”, për numrin femrave në disa kategori.

“Doja të thosha se jam tepër e nderuar që u nominova së bashku me artiste të mahnitshme femra këtë vit, sepse besoj se këtë vit kemi bërë një hap të rëndësishëm përpara”.

Me këtë fjalim iu referua komentit të bërë nga presidenti i “Recording Academy”, Neil Portnow, i cili vitin e kaluar tha se femrat duhet të bënin një hap përpara nëse donin të triumfonin në “Grammy”, duke iu referuar faktit se Alessia Cara ishte e vetmja artiste femër që mori çmim në një kategori solo.

Portnow kishte marrë shumë kritika dhe më pas kërkoi ndjesë. Madje deklaroi se do të tërhiqet nga detyra, pasi të mbarojë kontrata, më korrik 2019.

Fuqia e mesazhit nuk mbaron me kaq. Edhe pse regjia e ceremonisë tentoi ta ndërpriste duke rritur volumin e muzikës, Dua vazhdoi: “Për këdo që ende nuk e ka kuptuar se sa e veçantë është të kesh një histori ndryshe, një emër një nderon rrënjët e tua, vetëm sepse do të jetë normal, duhet të dini se nuk ka rëndësi se nga vjen, apo në çfarë besoni, mos lejoni që asgjë të bëhet pengesë në rrugën drejt realizimit të ëndrrave. Sepse e meritoni. Unë jam prova se mund të bëni gjithçka që doni, mjafton që të punoni fort”.

Source: Tendence