Një gjest i bukur, prej kampioni, ai i Zlatan Ibrahimovic. Futbollisti donte t’i bënte një surprizë skuadrës Wild Boars, (Derrat e Egër), 11 djelmoshat që më 23 qershor deri më 10 korrik u bllokuan në një shpellë në Tajlandë.

Djemtë ishin të ftuar te programi “Ellen DeGeneres Show” dhe sulmuesi suedez i Los Angeles Galaxy i surprizoi në studio, u dhuroi atyre fanellat e skuadrës kaliforniane dhe tha: “Mendoja se kam kurajë, por këta kanë më shumë se unë. Jeni skuadra më e fortë e botës”.

Futbollistët e vegjël, që mbajtën në ankth një botë të tërë për rreth dy javë, së bashku me trajnerin e tyre ishin futur në shpellën Tham Luang për të shënuar emrat e tyre në gurë, por prej shirave të rrëmbyeshëm u burgosën aty, derisa i shpëtuan, në një operacion të gjatë, ku humbi jetën edhe një person. Historia e tyre do të bëhet edhe film.

Rreth tre muaj pas ngjarjes së dhembshme, djemtë u ftuan nga Ellen DeGeneres në emisionin e saj dhe surpriza për ta ishte Ibrahimovic, që përveçse u dha nga një fanellë të personalizuar, i ftoi edhe për një sesion special stërvitjeje me skuadrën LA Galaxy.

Source: Tendence