Regjisori Rob Marshall konfirmoi synimin e “Disney” për të vijuar me një tjetër kapitull të “Mary Poppins”, sërish me Emily Blunt në rolin e dados magjike të ekranit. Kështu shkruan “The Sun”.

“Është në fazat e para, por mund t’ju them se janë 8 libra ku mund të bazohesh, pra ka shumë material për të eksploruar”, -tha Marshall gjatë një eventi. “Prej aty jemi nisur, nga librat e jashtëzakonshëm të P.L. Travers. Kështu që…”.

Dadoja u rikthye në kinema me “Mary Poppins Returns”. I ambientuar në Londër gjatë Depresionit të Madh, në vitet ’30, filmi tregon për Michael Banks, që punon në bankën ku punonte i ati dhe banon po në të njëjtën shtëpi me tre fëmijët, Annabel, Georgie e John dhe shërbyesen Ellen. Për shkak të një problemi me shtëpinë, Mary Poppins rikthehet magjishëm në jetën e familjes Banks dhe së bashku me Jack (Lin-Manuel Miranda) i ndihmon që t’u rikthehet gëzimi dhe sensi i të mrekullueshmes.

Në kastin e aktorëve janë edhe Ben Whishaw, Emily Mortimer, Julie Walters, Colin Firth, Meryl Streep, si dhe Dick Van Dyke, që në filmin origjinal ka interpretuar pastruesin e oxhakëve.

Source: Televizion