Nga fshesa me korrent te furra, nga asistenti personal te frigoriferi në gjendje të thotë se çfarë ka brenda, deri te televizori që ndryshon kanal apo programe përmes zërit, shtëpia po bëhet gjithnjë e më smart.

Mjafton një telekomandë për të dhënë komandën dhe gjithçka realizohet ashtu siç do ti. Kjo është e ardhmja e teknologjisë. Përmes komandës vokale kërkon të ndryshohet kanali në televizor, ose të paraqesë listën për të përzgjedhur programin që do dhe si me një kërcitur të gishtave gjithçka realizohet.

Është më e thjeshtë dhe më e shpejtë të përdorësh zërin për të marrë atë që do. Sipas “comScore”, gjysma e kërkimeve që bëjmë online deri në vitin 2020 do të bëhet përmes komandës vokale. Për “OC&C Strategy Consultants”, nëse në vitin 2017 rreth 13% e familjeve amerikane kishin një “speaker” inteligjent, deri në vitin 2022 kjo shifër pritet të rritet në 55%.

Në fakt, të dhënat nuk vlejnë vetëm për Amerikën, por dhe për shumë vende të botës, ku kontrolli i pajisjeve shtëpia po bëhet gjithnjë e më shumë përmes zërit.

Kompani të shumta në botë po nxjerrin televizorët inteligjentë të gjeneratave të fundit kryesisht me telekomanda që kanë edhe opsionin për komandën vokale, gjë që sipas ekspertëve është edhe ndihmë për personat me aftësi ndryshe.

Source: Teknologji