Numri një i klubit verilindor po bën të gjitha përpjekjet për të afruar në skuadër lojrarë cilësorë.

Firma me Gledi Micin ishte dhurata e parë e presidentit Safet Gjici për merkaton e janarit, por jo e fundit. Numri një i klubit verilindor po bën të gjitha përpjekjet për të afruar në skuadër lojrarë cilësorë kryesisht nga tregu i huaj, që do të bënin diferencën në Kategorinë Superiore në funksion të objektivit titull. Burime pranë nënkampionëve të Shqipërisë zbulojnë se është rënë parimisht dakord me kolumbianin Harold Reina, i cili vjen nga radhët e Apollon Limassolit në kampionatin qipriot. 24-vjecari do t’i bashkohet skuadrës gjatë fazës përgatitore në Turqi, dhe pritet të ketë impakt të menjëhershëm në fazën sulmuese.

Por Harold nuk është kolumbiani i vetëm që do të vihet nën urdhrat e Artim Shaqirit. Në Antalia verilindorëve do t’u bashkohen për një periudhë prove edhe dy futbollistë të tjerë kolumbianë, Youleys Mena dhe Camilo Rosero, përkatësisht 23 dhe 20 vjec. I pari vjen nga Indipendiente Medellin ndërsa i dyti nga Deportivo Cali, të dyja skuadra të kampionatit kolumbian. Sigurisht fjalën e fundit për lojtarët në provë do ta thotë stafi teknik, që kërkon vetëm lojtarë që bëjnë diferencën në këtë merkato dimërore.