Në sfidën mes “Netflix” dhe “Amazon Prime Video”, që kanë kontribuar në ofrimin e mundësive më të mëdha të përmbajtjeve për shikuesit, me prodhime origjinale që janë bërë shumë shpejt të preferuara, ka një anë tjetër të medaljes.

Sipas një raporti të shoqërisë “Sandvine”, muajt e fundit është regjistruar një rritje në trafikun e “BitTorrent”, që tregon se dhe aktiviteti pirat është rritur me të njëjtin hap. Kërkuesit, edhe pse theksojnë se nuk bëhet fjalë për një tregues preciz, e lidhin gjithçka me rritjen e ofertave nga dy platformat streaming.

Në dy vitet e fundit u regjistrua një rënie drastike e veprimtarisë pirate, për shkak të metodave antipirate më agresive të vëna në punë nga krijuesit e përmbajtjeve dhe nga kontrollorët e shërbimeve të internetit. Një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe shërbimet e ligjshme streaming, që i kanë bërë përmbajtjet më të disponueshme.

“BGR” pati vënë re se sapo “Netflix” debutonte në një shtet të ri, automatikisht regjistrohej një rënie e shkarkimeve dhe piraterisë. Por, me sa duket, tani gjithçka ka ndryshuar dhe rol parësor ka luajtur lufta mes shërbimeve streaming.

Për seriale si “Game of Thrones” dhe “House Of Cards” duhet të shpenzosh shumë për t’u abonuar dhe kështu që njerëzit janë munduar t’i shkarkojnë ilegalisht.

Source: Teknologji