Tashmë gjithçka është zyrtare me klubin 24 herë kampion që bëri të ditur lajmin nëpërmjet një njoftimi ku shkruan se Muzaka është zyrtarisht i Tiranës.

Tirana bën goditjen e madhe. Gjergji Muzaka vishet bardheblu. Tashmë gjithçka është zyrtare me klubin 24 herë kampion që bëri të ditur lajmin nëpërmjet faqes së tij në Facebook nëpërmjet një njoftimi ku shkruan se Muzaka është zyrtarisht i Tiranës për pjesën e mbetur të sezonit duke precizuar se prezantimi i mesfushorit do te kryhet këtë të mërkurë në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi”.

Me afrimin e Muzakës Tirana realizon një përforcim cilësor në repartin e ndërmjetëm duke i shtuar një nga futbollistët më të spikatur te kampionatit, për tifozët madje ndoshta tingëllon edhe si një fitore në derbin e merkatos, me zërat që kishin nisur të qarkullonin për një interesim të Partizanit për 30 vjeçarin pas prishjes së kontratës së tij me Flamurtarin, edhe pse diçka e tillë nuk ishte shprehur asnjëherë publikisht nga drejtuesit apo stafi i klubit të kuq. Për Muzakën bëhet fjalë për një rikthim te Tirana pas shtegtimit prej 4 vitesh në Korçë me Skënderbeun dhe në Vlorë me Flamurtarin. I rritur futbollistikisht te Partizani, Muzaka ka qenë pjesë e Tiranës në sezonet 2008-2010 duke fituar edhe një titull kampion me fanellën bardheblu. Mesfushori është përforcimi i dytë i Tiranës për këtë sesion merkatoje pas Francis Kahatës, me klubin që lajmëron se do të ketë edhe goditje të tjera në dritaren dimërore.