Regjisori Ismet Sijarina, drejtoresha e fotografisë Sevdije Kastrati dhe producenti e aktori i njohur Fatmir Spahiu janë tre anëtarët e rinj nga Kosova, që kanë marrë ftesë nga Akademia Europiane e Filmit të jenë pjesë e saj.

Kjo ftesë vjen pas suksesit të filmit “Nëntor i Ftohtë”, i cili do të shfaqet premierë botërore javën që vjen në festivalin e famshëm të filmit në San Sebastian në Spanjë.

“Në rrafshin personal dhe profesional anëtarësimi në EFA është një arritje e madhe. Është nderë të jesh pjesë e elitës kinematografike evropiane. E falënderoj Qendrën Kinematografike të Kosovës, për nominimin që më ka bërë”– u shpreh regjisori Sijarina.

Ndërsa aktori Spahiu tha që: “Kjo ftesë është shpërblim për punën dhe sfidat që kanë profesionet tona, jam shumë i lumtur dhe ndjehem i privilegjuar”.

Akademia Europiane e Filmit është themeluar në vitin 1989 me drejtorin e parë Ingmar Bergman bashkë me anëtarët tjerë themeluese si Pedro Almodovar, Lindsay Anderson, Bernardo Bertolucci, Sir Ben Kingsley, Andrzej Wajda, Wim Wenders etj..

Ceremonia e Çmimeve Europiane të Filmit sivjet do të mbahet në Sevilla të Spanjës në muajin dhjetor. EFA ka mbi 3.500 anëtarë nga mbarë Europa, ku prej tyre Kosova ka 25 anëtarë.

Source: Televizion