Shefja ekzekutive e “ITV”-së, Carolyn McCall paralajmëroi transmetuesit britanikë se janë mbrapa me planin për të krijuar një alternativë të shërbimeve të mëdha streaming në SHBA.

Në një intervistë për “The Guardian”, McCall tha se transmetuesve në Britani u ka mbetur shumë pak kohë për të marrë kontrollin ndaj “Netflix” e “Amazon”.

“Mendoj se dritarja po mbyllet”, -tha McCall. Pyetjes nëse “ITV” dhe transmetuesit e tjerë kombëtarë kanë shansin e fundit për të krijuar rivalitet në Britani për SVoD, ajo tha: “Sigurisht dhe prandaj mendoj se “ITV” dëshiron të ecë përpara. E dimë që nuk do të jetë e lehtë. Nëse nuk e bëjmë tani, nuk do ta bëjmë kurrë. Duhet të hedhim hapin e madh”.

Në fillim të këtij viti, McCall deklaroi se “ITV”, me disa partnerë, po merrte në konsideratë idenë për të lançuar një shërbim video on demand.

Prej kohësh flitet se “BBC”, “ITV” e “Channel 4” po bashkëpunojnë për të lançuar shërbimin streaming britanik.

Source: Teknologji