Seriali shumë i famshëm amerikan “The Simpsons”, i cili ka gati 30 vjet që është pjesë e ekraneve të publikut në mbarë botën, është prekur së fundmi nga çështja e racizmit dhe të qenit politikisht jo korrekt.

Problemet nisën në vitin 2017 kur një komedian indian i quajtur Hari Kondabolu realizoi dokumentarin “Problemi me Apu-në”. Apu është një nga personazhet më jetëgjatë dhe të njohur të “The Simpsons”, i cili vjen nga origjina indiane. Mënyra se si portretizohet ai në serial, qoftë nga theksi që ka, fiziku i tij apo nga mendimet që shpreh konsiderohen të jenë tipike të një steriotipi indian, pra i mënyrës se si njerëzit presin që një person me këtë origjinë të jetë.

Sigurisht që kjo nuk do ishte problem disa vite më parë, jo më kot ky ka qenë një nga personazhet më të pëlqyer të “The Simpsons” për kaq shumë kohë, por me problemet sociale të globalizmit modern, ku racizmi dhe steriotipet gjenden dhe në gjerat më të vogla, prodhuesit e serialit i janë dashur të marrin masa.

Krijuesi dhe skenaristi Matt Groening në fakt e ka mbrojtur Apu-në dhe ka luftuar fort që ai të vazhdojë të jetë pjesë e serialit, por pavarësisht kësaj producenti kryesor Adi Shankar, ka konfirmuar që personazhi nuk do përfshihet më në skena. Gjithsesi të gjithë kanë pranuar që largimi i tij për këtë çështje nuk është as një hap mbrapa as një hap para në zgjidhjen e problemit të racizmit, por duhej bërë për të shmangur çdo lloj dëmi që mund t’i bëhet serialit.

Kujtojmë që “The Simpsons” është shpallur seriali më i suksesshëm i të gjithë kohërave i kompanisë “Fox” dhe kur producentët e saj janë dorëzuar para problemeve të tilla, pritet që dhe prodhime të tjera amerikane të bëjnë ndryshime.

 

Source: Televizion