Sylvester Stallone, Michael B. Jordan e Tessa Thompson janë protagonistët e imazhit të ri zyrtar të “Creed II”, vazhdimi i filmit që pritet të dalë në kinematë amerikane në fund të nëntorit.

Regjisori Steven Caple Jr. shpjegoi për “USA Today” se përse ky vazhdim nuk duhet humbur: “Loja është goxha intensive si brenda dhe jashtë ringut. Pikat e forta të Creed në ring janë shpejtësia dhe teknika e ndeshjes, ashtu siç e ka mësuar Rocky. Ndërsa Drago është shtypës”.

Drama e Ivan Drago dhe e të birit Viktor përshtatet në mënyrë perfekte me atë të personazhve të tjerë të “Creed”, si protagonisti Adonis, që duhet të ndeshet, në një mënyrë apo në një tjetër, nën hijen e babait të famshëm.

Dhe ishte pikërisht kjo arsyeja që e bindi Dolph Lundgren të rikthehej në rolin e Ivan Drago në “Creed II”. Gjatë një interviste, Lundgren tha: “Në praktikë, ka jetuar në ferr. Prej vitit 1985 ka humbur gjithçka. Skenari e sjell si një personazh emotivisht të dëmtuar, që ka vuajtur shumë fizikisht, prej një jete tepër të vështirë. Personazhi im, me kohën, është bërë ikonë. Njerëzit e citojnë dhe ka bluza me foton e tij, kështu që nuk doja ta prishja këtë imazh. Të punoje në këtë film mbi marrëdhënien babë e bir ishte gjë e mirë, sepse kam pasur një raport të dhunshëm me tim atë”.

Source: Televizion