Pharrell Williams i ka kërkuar formalisht Presidentit Donald Trump që mos ta luajë më muzikën e tij në takimet, apo tubimet që bën.

Këngëtari dhe njëkohësisht producenti shumë i njohur, në fakt jo vetëm i ka kërkuar por i ka dhënë një ultimatum nëpërmjet avokatit të tij miliarderit që është në krye të Shtëpisë së Bardhë. Kjo ka ardhur pasi në një event të mbajtur në Pittsburgh nga presidenti, vetëm disa orë pasi 11 veta u vranë në një sulm me armë po në këtë qytet, u luajt kënga e Pharrell, “Happy’’.

Hiti që në “YouTube” numëron mbi 1 miliard klikime përdoret në shumë takime apo fushata politike, por autori i saj mesa duket nuk është i lumtur që edhe ekipi i Presidentit Trump e luan. Sipas avokatit të tij, ky “urdhër” i jepet atij për dy arsye. E para pasi nuk ka asgjë të lumtur në një takim që zhvillohet vetëm pak orë pas sulmit më tragjik që i është bërë komunitetit hebre në ShBA. E dyta, pasi kënga zotërohet nga Pharrell dhe nuk mund të përdoret pa autorizimin e tij nga askush.

Kështu, Williams i bashkohet disa artistëve të tjerë të cilët ia kanë ndaluar Trump-it të përdorë krijimet e tyre. Për shembull, përfaqësuesit ligjorë të familjes së artistit të ndjerë Prince i kërkuan ekipit presidencial të mos e luajnë më “Purple Rain” në takime, por edhe grupi “Aerosmith” ua ndaloi atyre të përdornin këngën “Livin’ On The Edge”.

Source: Tendence