“Royal Family” është një dokumentar mbi familjen mbretërore britanike, që mbretëresha Elizabet e mban të fshehur për publikun prej 50 vjetësh.

Nëse njerëzit duan ta ndjekin familjen mbretërore në momente intime të saj, si dasma, pagëzime, apo në pushime, me sa duket madhëria e saj nuk e mendon në këtë mënyrë. U zbulua se mbretëresha ka ndërhyrë personalisht për të bllokuar një dokumentar që kishte lidhje me familjen mbretërore, pasi u transmetua në vitin 1969.

“Royal Family” u realizua nga Richard Cawston për “BBC”-në. Grupi i punës kishte ndjekur familjen mbretërore për 18 muaj me radhë, çdo ditë. Xhirimet përfshinin edhe momente familjare, si duka i Edimburgut që pjek salsiçe në skarë, princi Çarls që përgatit një sallatë, mbretëresha që bën një shëtitje me ish-presidentin amerikan Richard Nixon.

Ideja kryesore e monarkisë së viteve ’60 ishte që të gjente një mënyrë për të treguar se nuk jetojnë jashtë normalitetit, ose se s’ishin të paarrirë, duke u lejuar njerëzve normalë të shikonin ç’bëhej pas kuintave të Pallatit.

Pasi u përfundua, dokumentari iu tregua mbretëreshës, së cilës në përgjithësi i kishte pëlqyer. Transmetimi u bë më 21 qershor 1969, në Britani dhe SHBA, me një shikueshmëri prej 37 milionë shikues. Dokumentari u cilësua si një sukses, por gjithsesi mbretëresha ndryshoi mendim dhe urdhëroi që materiali të hiqej nga qarkullimi dhe që atëherë nuk është parë më.

Në vitin 2011, 90 sekonda nga filmi u publikuan gjatë një eventi në “National Portrait Gallery”. Në atë sekuencë, mbretëresha, princi Filip, princi Çarls dhe princesha Ana janë të ulur në tavolinë duke ngrënë mëngjes dhe Elizabeta fliste për momentin kur një figurë dinjitoze u rrëzua përpara mbretëreshës Viktoria.

“E kuptuan se nëse do ta kishin bërë shpesh një gjë të tillë do të shiteshin para publikut, duke zbehur enigmën rreth familjes mbretërore”, -tha Robert Lacey, konsulent historik i serialit “The Crown”.

Source: Tendence