“Diana u detyrua të martohej me Charles… Në atë kohë ishte shumë naive”. Derek Dean, koreograf e balerin, miku i ngushtë i princeshës së ndjerë Diana, foli në një intervistë ekskluzive për “Domenica live”, të Barbara d’Urso, në televizionin italian “Canale 5”, lidhur me disa aspekte të jetës së Lady D: “Më pas zbuloi shumë gjëra rreth bashkëshortit të ardhshëm, por ndërkohë ishte tepër vonë”.

Dean zbuloi detaje tronditëse, të cilat ia besonte mikesha e tij: “Kur mësoi se Charles ishte i dashuruar me Camilla-n, pak përpara se të martohej, kuptoi se gjërat nuk do të shkonin dhe aq mirë. Donte të hiqte dorë, por ishte tepër vonë. Charles ishte aq i dashuruar me Camilla-n, saqë nuk hoqi dorë prej saj edhe pas dasmës me Dianën”, -deklaroi Dean.

“Ajo edhe u përball me Camilla-n. I tha të hiqte dorë nga bashkëshorti i saj dhe mori përgjigjen: “Ti tashmë e ke Charls-in, është bashkëshorti yt, do të jesh mbretëresha e ardhshme, çfarë do më shumë?”.

Derek Dean foli dhe për depresionin e Dianës dhe zbuloi mendimet vetëvrasëse të princeshës: “Vuante nga depresioni dhe bulimia dhe më tregoi se arriti deri në atë pikë saqë mendonte dhe vetëvrasjen. E ndaloi vetëm dashuria e pamat që kishte për djemtë e saj. Ishte një nënë e jashtëzakonshme. Jetoi për ta, ishin gjëja më e rëndësishme e jetës së saj. Donte t’i rriste në mënyrën më normale të mundshme, por ishte e pamundur dhe ishte pikërisht kjo gjë që ngjallte dhe debatet më të mëdha me familjen mbretërore”.

Dean përgënjeshtroi faktin që Diana ndihej e kërcënuar nga familja mbretërore: “Nuk besoj se kishte frikë se do të vdiste, ndihej e kërcënuar për të ardhmen. Ky ishte shqetësimi i saj”.

Përgënjeshtroi edhe zërat për fëmijë të mundshëm sekretë: “Lidhja e saj me James Hewitt nisi dy ose tre vjet pas lindjes së Harry-t, kështu që si është e mundur? Harry ka marrë të gjitha gjenet e familjes Spencer, i ngjan shumë dajës së tij”.

Lidhur me vdekjen, koreografi dhe miku i Dianës përjashton përfshirjen e mundshme të familjes mbretërore: “Ka kaq shumë teori, mendoj se ishte thjesht një aksident rrugor”.

Source: Tendence