“I’Father”, me regji të Mark Norfolk, do të prezantohet në “All Lights India International Film Festival”, që do të zhvillohet në Indi, 1 deri më 4 dhjetor.

Filmi është në konkurrencë zyrtare, i cili është realizuar në Kosovë me produksionin FilmaKS, themeluar nga aktorja dhe producentja Makfire Miftari.

“I’Father” është film i metrazhit të gjatë i realizuar në Kosovë me ekip kosovar. Kjo do të jetë premierë botërore e këtij filmi të realizuar në Kosovë në vitin 2018.

Filmi është një dramë serioze, që trajton një nga temat më të ndjeshme dhe më të debatuara në vend, atë të luftës dhe pasojave të saj mbi tranzicionin dhe shoqërinë, por edhe mbi zakonet dhe kodet. Ajo që më herët kishte qenë një pjesë e arrirë për skenat teatrore dhe zhvilluar në një koncept dramaturgjik pas një pune të palodhshme e të gjatë reprizash me aktorë, nga teatri, ky rrëfim ishte ngjitur në ekran filmi. Regjisori i filmit, Mark Norfolk kishte mbledhur aktorët dhe nga mizanskena i kishte mbartur ata të gjithë, në një version virtual duke i ndërthurur raportet e tyre në një skemë kompozicionale për film.

“Un’ Ati” ka një kolonë zanore origjinale dhe mbresëlënëse, por të begatuar me melodi nga repertori i muzikës qytetare, disa prej të cilave melodi interpretohen nga aktorët.

Source: Televizion