Javën e shkuar, Kim Kardashian deklaroi gjatë një interviste se konflikti me Taylor Swift është shuar. Ylli i “reality” publikoi edhe një video në “Snapchat”, ku në sfond dëgjohej kënga “Delicate”. Por, sipas medies, 38-vjeçarja është detyruar ta ndërmarrë një hap të tillë.

“Radar Online” shpjegoi se Kim po mat mirë veprimet qëkur Swift firmosi kontratën me “Universal Music Group”, pasi ndërpreu marrëdhëniet me “Big Machine Records”, pas 12 vjetësh.

Sipas “Radar Online”, “Universal” ka në pronësi “E!”, kanali që prodhon dhe transmeton “Keeping Up With The Kardashians”, dhe, me sa duket, Kim ka marrë urdhra nga lart që të jetë e sjellshme me Tay Tay.

Konflikti Taylor-Kim është i hershëm. Në “MTV VMA 2009”, Kanye West i ndërpreu fjalimin e falënderimit këngëtares. Dhe në këngën “Famous”, reperi nuk fliste fjalë të mira për Tay Tay. Ndërsa Kim, ia dedikoi asaj Ditën Kombëtare të Gjarprit.

Dhe Swift nuk ndenji duarkryq. Në një koncert të “Reputation Tour”, artistja foli për bullizmin, duke iu referuar sjelljes së Kim Kardashian.

Source: Tendence