Një ndër momentet më të pritur të sezonit 8 të “Game of Thrones” është ai i marrëdhënies Jon Snow-Daenerys Targaryen, të cilët do të zbulojnë se kanë lidhje gjaku.

Një zbulim që ngre dyshime mbi rrjedhën e ngjarjeve, diçka për të cilën Kit Harington e Emilia Clarke kanë diskutuar së bashku me ideatorët David Benioff e D.B. Weiss gjatë një interviste për “TV Insider”.

Në finalen e sezonit 7, ish-Mbreti i Veriut dhe Nëna e Dragonjve kishin tërheqje ndaj njëri-tjetrit, ndërsa nga ana tjetër Bran Stark i tha Samwell Tarly se Jon nuk është i biri bastard i Ned Stark, i ati i tij, por djali legjitim i Rhaegar Targaryen, vëllai i madh i ndjerë i Daenerys. Në këtë pikë, Jon i paraprin Dany në linjën e marrjes së fronit, gjë që nuk ka për t’i pëlqyer asaj që është vetëdeklaruar mbretëresha e Shtatë Mbretërive dhe që për shtatë sezone ka punuar fort për të arritur të heqë qafe uzurpatorët Lannister.

“Nëse flasim për dramaticizëm, diçka e tillë i bën gjërat edhe më interesante, sepse pika kryesore nuk është më çështja se kush janë prindërit e Jon, por çfarë do të ndodhë kur ai ta marrë vesh”, -deklaroi Weiss.

“Daenerys ka ëndërruar tërë jetën të marrë hak për familjen e saj dhe që të marrë të drejtën për t’u ulur në Fronin e Shpatave”, -shpjegoi Clarke. “Ajo e do vërtet Jon. Nëse do të mësojë për titullin e tij, do të krijohet një e çarë e madhe”. Harington shtoi: “Jon është një njeri që ndjek rregullat. Nuk mund të shtiret dot. Kur të mësojë për Dany-n, që në fakt është halla e tij, do ta vërë vërtet në vështirësi”.

Source: Televizion