Emri i saj është Margaretha Geertruida Zelle nga Holanda, por e gjithë bota e njeh me emrin Mata Hari. Një nënë, një kërcimtare shumë joshëse, kurtizane dhe spiune, ajo jetoi një jetë të vrullshme.

Emri i saj është përdorur shumë në letërsi dhe kinematografi. Prodhimi më i fundit është seriali ruso-portugez i vitit 2017, prodhuar nga kompania britanike-ruso-ukrainase “Star Media”, në bashkëpunim me “Channel One”, Rusi dhe “Inter”, Ukrainë.

Filmi serial i dedikohet historisë së spiunes legjendare, joshjes fatale dhe kërcimtares pasionante, e njohur më shumë nën pseudonimin Mata Hari, e cila u përfshi në aktivitet spiunazhi në favor të Gjermanisë gjatë Luftës së Parë Botërore.

Margaret MacLeod, e përndjekur nga ish-burri i saj, privohet nga kujdestaria e së bijës dhe lihet në mëshirë të fatit. Ajo nuk thyhet, por do të bëhet kërcimtare.

Nën pseudonim Mata Hari, Margaret kthehet ndër femrat më të favorizuara të elitës europiane. Për të do të hapen dyert e vilave dhe shtëpive luksoze, çdo performancë është një sukses i jashtëzakonshëm.

Por, Lufta e Parë Botërore troket në derë, gjë e cila do të ndryshojë përgjithmonë kursin e historisë. Mata Hari, vështirë se mund të parashikojë çfarë roli është e destinuar të luajë ajo, në ngjarjet që do të pasojnë: Nënë, kërcimtare, kurtizane, spiune.

Për audiencën e saj, Mata Hari ishte një performuese e kërcimtare famëkeqe. Për të dashurit e saj pasanikë, ajo ishte një femër joshëse, e këndshme, por misterioze. Për të dyja shërbimet sekrete, ajo gjermane dhe ajo franceze, ajo ishte informatore e besueshme dhe e çmueshme, e cila u zbulua si agjente e dyfishtë.

Mata Hari vjen nën interpretimin e aktores franceze, Vahina Giocante, e përkrah saj janë emra të mëdhenj si Christopher Lambert, John Corbett, Gerard Depardieu.

Historia e spiunes më të famshme të botës do të transmetohet çdo të diel në Top Channel, në orën 15:15 minuta.

Source: Televizion