Pas Ben Affleck, një tjetër figurë e njohur e ekranit u drejtohet qendrave të rehabilitimit. Këngëtarja 43-vjeçare Mel B do të kurohet për pasojat e stresit post-traumatik. Trauma në fjalë për ish-“Spice girls” quhet Stephen Belafonte, ish-bashkëshorti, i akuzuar nga këngëtarja për dhunë familjare, por që nuk u dënua pasi kishte mungesë provash.

Mel B do të hyjë në rehabilitim muajin e ardhshëm. “The Sun” shkruan se divorci nga Belafonte nuk ishte në favor të Mel B. Duhet t’i paguajë ish-bashkëshortit 20 mijë dollarë në muaj si detyrime përkujdesjeje edhe për vajzën e tyre Madison. Beteja ligjore me shumë shpenzime dhe shumë borxhe të papaguara lanë pasoja te këngëtarja dhe kështu vendosi të hyjë në rehabilitim: “Në radhë të parë e bëj për fëmijët e mi, pastaj për veten time”.

Gjatë kësaj periudhe, Mel B ka filluar të pijë shumë dhe ka pasur një jetë të shfrenuar në dhomën e gjumit, duke bërë seks dhe me tre burra brenda ditës.

Mel B nuk e fsheh: “Pi për të mbytur dhembjen. Është thjesht një mënyrë për të maskuar atë që ndodh realisht. Ndonjëherë është shumë e vështirë të përballosh të gjitha emocionet, por problemi nuk ka qenë asnjëherë alkooli apo seksi, problemi qëndron pas tyre”.

Source: Tendence