Drama e Michael Douglas rrëfyer për mikrofonat e “Mirror”, aktori foli për shqetësimin për fëmijët e tij, se mos trashëgojnë “gjenin e varësisë”. Douglas, 74 vjeç, dhe bashkëshortja Catherine Zeta Jones kanë dy fëmijë adoleshentë, Dylan, 18 vjeç, dhe Carys, 15.

Aktori është i fiksuar me idenë se fëmijët e tij mund të zaptohen nga i njëjti demon me të cilin i është dashur të luftojë prej vitesh, sepse sipas tij, varësia është një problem familjar.

Vetë Michael ka qenë në rehabilitim për varësinë ndaj drogës dhe alkoolit, i biri më i madh, Cameron, 39 vjeç, ka luftuar me varësinë nga heroina, ndërsa i vëllai, Eric Douglas ndërroi jetë nga mbidoza në moshën 46-vjeçare, në vitin 2004. “Gjenit i duhet kushtuar vëmendje. Nga të dyja familjet ka raste me varësi. Pikërisht kësaj i druhem për fëmijët dhe i shikoj me shumë kujdes në çdo hap që hedhin”, -tha Michael.

“Flasim shumë për problemet e varësisë dhe u tregoj për eksperiencën time dhe atë të familjes sime. Në vitin 1991 kam hyrë në rehabilitim. Humba tim vëlla dhe djali im bëri mbi shtatë vjet burg për një krim të lidhur me drogën”.

Source: Tendence