Lajm i mirë për kinematografinë shqiptare. Danish Film Institute i ka kushtuar një trilogji gjatë këtij muaji autores shqiptare Xhanfize Keko.

“Mimoza Llastica”, “Kur xhirohej një film”, dhe “Tomka dhe Shokët e tij” janë tre filmat e përzgjedhur për t’u shfaqur në Kopenhagen përgjatë nëntorit.

“Janë vetëm tre autorë të cilëve i është dedikuar trilogjia ose me saktë kanë një program të veçantë përgjatë muajit nëntor nga Danish Film Institute, që është Spike Lee, Bergman dhe Xhanfize Keko, ta kesh përkrah këtyre mjeshtreve është një nga arritjet më të mëdha të kinematografisë shqiptare para dhe pas viteve 90”, u shpreh producenti Genc Përmeti.

Gjithçka nisi në 2012, kur Mark Cousins, një nga kritikët më të shquar të kinematografisë botërore, vizitoi Shqipërinë dhe i bëri shumë përshtypje Xhanfize Keko, pikërisht për këndvështrimin e saj në ndërtimin e narrativës përmes këndvështrimit të fëmijëve.

Në sajë të programimit që Mark Cousin i bëri kinemasë për fëmijë, filmi “Tomka dhe Shokët e Tij”u shfaq edhe në British Film Institute. U rrit interesi për autoren shqiptare në revistat më prestigjioze të kritikës së filmit në botë, duke u rritur interesi edhe për filmat e saj të tjerë.

Source: Televizion