Roli i aktorit shpesh kërkon ndryshime drastike fizike, për të humbur apo shtuar në peshë, por disa prej tyre nuk njohin limite. Nga Tom Hanks te mbreti i transformimeve Christian Bale, nga Matthew McConaughey te Jared Leto, ja disa prej ndryshimeve më ekstreme për të interpretuar një rol:

Christian Bale – The Machinist

Në filmin e vitit 2004, “The Machinist”, Christian Bale interpreton Trevor Reznik, një punëtor që vuan nga pagjumësia. Mungesa e gjumit e çon drejt humbjes së peshës. Për personazhin, Bale duhet të ishte aq i dobët, saqë iu desh të binte 28 kg nga pesha. Për këtë rënie drastike, aktori hyri në dietë të fortë, hante vetëm një kuti me peshk ton dhe një mollë në ditë.

Matthew McConaughey – Dallas Buyers Club

Një ndër aspektet më befasuese të “Dallas Buyers Club” është ndryshimi fizik i Matthew McConaughey. Aktori ra 18 kg për filmin e bazuar në një histori të vërtetë, ku interpreton Ron Woodroof, një i sëmurë me Sida, që përpiqet të fusë ilegalisht në SHBA ilaçe jo të aprovuara, për të ndihmuar pacientët e tjerë. McConaughey deklaroi se pavarësisht dietës së rreptë ishte plot energji.

Jared Leto – Chapter 27

Angazhimi që Jared Leto duhet të bënte për “Chapter 27” ishte vërtet ekstrem. Aktori interpreton Mark David Chapman, personi që vrau John Lennon. Leto shtoi mbi 30 kg në peshë, në atë që është cilësuar si transformimi më ekstrem i karrierës së tij. Gjatë fundit të xhirimeve, pesha shtesë e kishte lodhur aq shumë, saqë mezi ecte për të arritur në sheshxhirim. Pavarësisht vështirësive, aktori tregoi se transformimi i tij ishte i rëndësishëm për të përfaqësuar personazhin.

Charlize Theron – Monster

Charlize Theron shtoi 13 kg për “Monster”, filmi që i tregoi publikut talentin e saj të madh. Theron interpreton Aileen Wuornos, një vrasëse në seri, që ka ekzistuar realisht. Aktorja deklaroi se synimi nuk ishte shtimi në peshë, por të linte veten pas dore, për të hyrë më mirë në rol.

Tom Hanks – Castaway

Për “Castaway”, Tom Hanks duhet të shtonte në fillim 23 kg, për t’iu afruar paraqitjes së një burri në moshë të mesme. Pasi arriti peshën ideale për rolin nisën xhirimet, skenat para aksidentit ajror. Më pas produksioni u ndërpre për një vit, periudhë e nevojshme për aktorin që të humbte peshë dhe t’i ngjasonte më shumë një personi të vetmuar në një ishull. Gjatë një viti, aktori vendosi mos të rruhej dhe mos t’i priste flokët dhe ra 25 kg në katër muaj, me një dietë të fortë dhe shumë ushtrime fizike.

Demi Moore – G.I. Jane

Të transformohej në togeren Jordan O’Neil, e para grua që u bë pjesë e Forcave Speciale të ushtrisë amerikane, nuk ishte e lehtë. Përveç dietës, stërvitjes së fortë dhe arteve maricale, Demi Moore iu nënshtrua dhe stërvitjes ushtarake, me një instruktor të vërtetë të Marinës, për të hyrë më mirë në brendësi të personazhit.

Michael Fassbender – Hunger

Aktori Michael Fassbender humbi rreth 20 kg për rolin në filmin “Hunger” të vitit 2008, ku interpreton Bobby Sands, një i burgosur që udhëhoqi grevën e dytë të urisë në Ushtrinë Republikane Irlandeze, (IRA), në vitin 1981, dhe vdiq pas 66 ditësh pa ushqim. Fassbender ndoqi një dietë me 900 kalori në ditë dhe bëri shumë ushtrime fizike dhe arriti të peshonte më pak se 57 kg.

Emile Hirsch – Into the Wild

Emile Hirsch u fut në një dietë të rreptë për të humbur shumë peshë për filmin “Into The Wild”, ku interpreton Chris McCandless, një djalosh që ndërmerr një aventurë në natyrën e egër të Alaskës dhe përfundoi i pajetë prej urisë. Aktori peshonte 59 kg në fillim të xhirimeve dhe duhej të humbte 11 kg për pjesën e parë të xhirimeve dhe 7 kg të tjera, për të xhiruar skenat e fundit të filmit. Aktori deklaroi se e arriti këtë falë ushtrimeve fizike, mosngrënies dhe duke ëndërruar ëmbëlsirat.

Ewan McGregor – Fargo

Kur iu komunikua se duhet të shtonte në peshë për rolet e dy vëllezërve Stussy, Emmit e Ray, në sezonin e tretë të serialit televiziv “Fargo”, McGregor ishte 45 vjeç dhe ishte në formë perfekte. Sapo kishte mbaruar xhirimet për “Trainspotting 2”, ku së bashku me kolegun Jonny Lee Miller kishin bërë rregullisht ushtrime fizike, sidomos duke vrapuar në malin “Arthur’s Seat”, në Skoci. McGregor nuk protestoi dhe nisi të hante ato që donte, duke u siguruar që të kishte gjithnjë në menu karbohidrate dhe patate të skuqura. Aktori tha se nuk u peshua asnjëherë, por që bleu pantallona rreth 5 cm më të gjera në bel. Pavarësisht se ishte gjë e mirë të hante ç’të donte, McGregor tha se në darkë nuk ndihej shumë mirë dhe që preferon të hajë më shëndetshëm.

Source: Televizion