Dokumentarë, seriale televizive dhe filma, janë të shumta projektet që po realizohen dedikuar legjendave të muzikës, që janë ndarë nga jeta.

“Me dashuri dhe tepër përkujdesje”. Kështu e përshkroi Ava DuVernay, e para regjisore afro-amerikane e nominuar për “Golden Globe”, projektin e saj të ardhshëm, një dokumentar dedikuar Prince, që do të tregojë jetën dhe karrierën e legjendës së ndarë nga jeta më 21 prill 2016. DuVernay ka marrë mbështetjen e familjarëve dhe trashëgimtarëve të Prince, gjë që do të thotë se ka akses të plotë në arkivin e pasur në “Paisley Park”.

Prince nuk do të jetë i vetmi artist që do të rijetësohet në ekran. Edhe për Aretha Franklin pritet të realizohet një dokumentar, mund të zgjidhet si personazh për sezonin e tretë të “Genius”, seriali i “National Geographic”, që në seritë e mëparshme ka folur për Albert Einstein e Pablo Picasso. Nëse realizohet, mbretëresha e soulit, që u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare, do të zëvendësojë Mary Shelley, për të cilën u mendua fillimisht.

Për David Bowie po mendon “BBC”-ja. Dokumentari “David Bowie: The First Five Years” pritet të dalë në vitin 2019. Doku-filmi i tretë, pas “David Bowie: Five Years” (2013) dhe “David Bowie: The Last Five Years” (2017), do të tregojë jetën dhe karrierën e Bowie përpara Ziggy Stardust, duke nisur prej vitit 1966, kur dhe ndryshoi emrin nga David Jones në David Bowie.

Jean-Marc Vallée do të jetë regjisori i filmit mbi John Lennon e Yoko Ono, për “Universal Pictures”, që do të përqendrohet te historia e tyre e dashurisë, që nga takimi i parë deri te martesa në Gjibraltar në vitin 1969, siç tregohet dhe në këngën “The Ballad of John and Yoko”, hiti i fundit i “The Beatles”, përpara ndarjes së grupit në vitin 1970.

Source: Televizion