Super 15, eventi i organizuar me rastin e 15-vjetorit të themelimit të platformës së të gjithë shqiptarëve, Digitalb, uli siparin. Një aventurë plot emocione, që nisi më 1 qershor dhe që u mbyll me finalen e kësaj të diele. Një event që pati pjesëmarrës ekipe jo vetëm nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut me moton e Digitalb, për të bashkuar të gjithë shqiptarët kudo ndodhen në një ekran të vetëm. Të rinjtë që ëndërrojnë që një ditë të shndërrohen në “yje” të futbollit.

Super 15 që nga nisja e turneut pati emocione, garë, lot gëzimi dhe eliminimi. Ishte ekipi “Ramiz Sadiku” që triumfoi në këtë finale, falë suksesit minimal që arriti ndaj 2 Korrikut.

Rivalitet që nisi që më 16 qershor, në finalen e Kosovës, e që vijoi Tiranë, ku u luajt faza finale.

Transmetimi live nisi prej orës 16:00 me pjesëmarrjen e figurave më të rëndësishme të SuperSportit, të cilët jepnin opinionet e tyre rreth Super 15.
“Ramiz Sadiku” dominoi Grupin B, duke fituar 4-0 ndaj Ilir Viking dhe 3-0 kundër Fushëmbretit. Ndërkohë, 2 Korriku, përpara se të mbërrinte në finale kishte fituar 2-0 ndaj Ali Demit dhe kundër Shkëndijës së Tetovës pas goditjeve të 11-metërshave, pasi koha e rregullt përfundoi në barazim.

Një finale që u shoqërua me rivalitet, por në fund festa ishte për ekipin kampion “Remzi Sadiku”.

Një ëndërr e realizuar për ta, një ëndërr që vazhdon me shpresën se një ditë do të shndërrohen në “yje” të sportit më të bukur në botë.