“Portreti i pambaruar i Clara Bellinit”, me regji të Namik Ajazi, solli në Shqipëri aktorin e njohur italian Remo Girone, që në vendin tonë është bërë i njohur përmes serialit “Oktapodi”, (La Piovra), në rolin e Tano Caridd-it. Së bashku me skenaristin Ruzhdi Pulaha dhe një kast të zgjedhur aktorësh shqiptarë e italianë, Ajazi sjell një histori të pamundur dashurie gjatë viteve të diktaturës. Bëhet fjalë për historinë e dashurisë mes një djali shqiptar dhe vajzës së një diplomati të lartë italian.

Aktori italian ishte protagonist i emisionit “Ftesë në 5”, në “Top Channel”, ku përmes një interviste rrëfeu atë pjesë të jetës së aktorit dhe njeriut që njerëzit nuk e njohin.

“Tirana ka ndryshuar shumë shpejt në pak kohë dhe qyteti ka një zhvillim të bukur dhe gati-gati duket si një qytet italian. Ka qenë pikërisht Namik Ajazi që më ka sjellë dy herë në Shqipëri, nuk i dihet, por ndoshta mund të shihemi së shpejti për të tretën. Pata mundësi ta vizitoj kryeqytetin tuaj dhe takova disa personalitete të njohur, jam ndier mirë. Është si në Itali, por me më pak stres. E di që shqiptarët më njohin prej rolit të Tano Caridd-it dhe më vjen mirë. Por, jo vetëm këtu, edhe në Itali e në vende të tjera, çuditërisht roli i një mafiozi u pëlqye aq shumë dhe u bë ikonë. Mendoj se personazhi doli mirë, sepse më parë kam punuar me një regjisor rus për “Krim dhe Ndëshkim” dhe Tano mendon se është mbi të tjerët njësoj si protagonisti i veprës së Dostojevskit”.

Aktori italian foli dhe për preferencat artistike: “Eksperienca e parë e imja ka qenë me kinemanë dhe ajo mbetet dashuria e parë, edhe pse kam studiuar dhe interpretuar teatër, por mes të dyjave do të zgjidhja kinemanë”.

Në sferën personale, aty ku shikuesit nuk mund të hyjnë përmes ekranit, zoti Girone foli për familjen, për të qenit gjysh: “Kam gjashtë nipër e mbesa nga dy fëmijët e mi. E kuptoni vetë se ç’ndodh kur bëhen të gjithë bashkë. Një familje e zhurmshme, por e bukur”.

Source: Televizion