Luana Vjollca rikthehet sot në mbrëmje në ekran, në edicionin e dytë të programit “Shiko kush Luan”, kësaj here edhe si autore. Lojërat argëtuese, të ftuarit VIP, ngacmimet me humor do të rikthehen në këtë sezon të dytë të “Shiko kush Luan”, në ekranin e “Top Channel”.

Gjithçka është në përgatitjet e fundit për një show, që Luana do ta ofrojë të shtunave mbrëma për gjithë sezonin.

“Më keni kapur në emocionet e para. Në stresin e fillimit, nëse do shkojë gjithçka mirë. Dhe pa diskutim, në lumturinë e madhe që “Shiko kush Luan” po rikthehet në sezonin e dytë. Në fakt, jam shumë e lumtur sepse kërkesat kanë qenë shumë të mëdha nga publiku. Ne jemi bërë gati që të vijmë sa më shpejt afër gjithë publikut tonë, afër gjithë njerëzve që duan të luajnë me ne në “Shiko kush Luan””.

Nën autorësinë e plotë të saj, “Shiko kush Luan” vjen sërish në dy skuadra, blu dhe të kuqe me dy kapitenë të rinj, Flori Gjinin dhe Adi Pojanën. “Një risi e këtij sezoni, përveç lojës mes dy skuadrave VIP, është që çdo puntatë do të ketë një të ftuar special, me një intervistë 180 sekonda”, shprehet Luana.

“Dhe një risi që kam dashur shumë ta kem në sezonin e kaluar, por që arritëm ta kemi në këtë sezon të dytë është që të gjithë ju të dashur miq, që dëshironi të luani me “Shiko kush Luan”, të mos luani nëpërmjet ekranit, por të luani edhe në studion e “Shiko kush Luan” në orën 21:00. Prandaj, kushdo që ka një talent të veçantë, mund të jetë pjesë e “Shiko kush Luan””.

Source: Televizion