“Schindler’s List”, filmi bardhezi i Steven Spielberg, po përgatitet për të dalë sërish në kinema dhe këtë radhë për një rast special, për 25-vjetorin e tij.

I konsideruar si një ndër filmat më të mëdhenj të të gjitha kohërave, “Schindler’s List” është ndër veprat më të vlerësuara të regjisorit, në vitin 1994 mori 7 çmime “Oscar”, mes tyre edhe “Filmi më i mirë” dhe “Regjia më e mirë”.

Është triumfi i një njeriu që bëri diferencën dhe drama e atyre që i mbijetuan një prej kapitujve më të errët të historisë njerëzore. I restauruar nga negativi i origjinalit, “Schindler’s List” është një histori e fuqishme, ku kuraja dhe besimi vijon të frymëzojë breza të tërë.

I bazuar në romanin e Thomas Keneally, filmi tregon historinë e jashtëzakonshme të vërtetë të enigmatikut Oskar Schindler (Liam Neeson), që shpëtoi jetën e mbi 1100 hebrenjve gjatë Holokaustit.

I xhiruar bardhezi në Poloni, “Schindler’s List” do të shpërndahet nga “Universal Pictures” me imazhe dhe foni të rimasterizuar në mënyrë dixhitale në 4K, Dolby Cinema e Dolby Atmos, për një projektim të limituar më 7 dhjetor 2018. Për momentin, nisma përfshin vetëm SHBA-në dhe Kanadanë.

Source: Televizion