Mark Tallman, RonReaco Lee dhe Malik Yoba iu bashkuan kastit të aktorëve për ribërjen televizive të filmit “The First Wives Club”, i vitit 1996, me personazhet kryesore Diane Keaton, Bette Midler e Goldie Hawn. Tani, “Paramount” ka vendosur të bëjë një serial, me një kast aktorësh tërësisht të rinj.

Seriali, ashtu sikurse dhe filmi, do të zhvillohet në New York dhe do të ndjekë historitë e tre grave: Ari (Ryan Michelle Bathe), avokate elegante dhe e sigurt në vetvete që ka lënë mënjanë karrierën për të mbështetur ambiciet politike të të shoqit; Bree (Michelle Buteau), një yll muzikor dhe Hazel (Jill Scott), doktoreshë dhe nënë. Tre gratë do të bashkëpunojnë pasi martesat e tyre do të marrin tatëpjetën dhe përmes forcës së miqësisë do të ndërmarrin një hakmarrje të vogël.

Mark Tallman do të jetë bashkëshorti i Arit, politikani David, ambicia dhe egoja e të cilit shpesh vijnë përpara gruas. RonReaco Lee do të jetë Gary, bashkëshorti i Bree, martesa e të cilëve vihet në vështirësi nga tradhtia. Malik Yoba do të jetë Derrick, bashkëshorti tradhtar i Hazel.

Source: Televizion