“Warner Bros” dhe “Mattel” arritën një akord për të sjellë në ekranin e madh përshtatjen kinematografike të “Barbie”, kukulla e famshme e kompanisë amerikane të lodrave, që do të interpretohet nga Margot Robbie.

Presidenti i “Warner Bros Pictures Group”, Toby Emmerich deklaroi: “Ky projekt është një nisje e mirë për partneritetin me Ynon dhe “Mattel Films”. Margot Robbie është producentja dhe aktorja ideale për ta jetësuar Barbie-n në ekranin e madh për publikun e sotëm”.

Ndërsa Robbie deklaroi: “Të luash me Barbie rrit besimin te vetja, kuriozitetin dhe komunikimin në rrugëtimin e rritjes së vogëlusheve, në zbulimin e vetvetes. Në rreth 60 vite histori të kësaj marke, Barbie u ka mundësuar vajzave të kenë më shumë besim te vetja dhe të imagjinohen në role të rëndësishme, si princeshë apo presidente. Jam vërtet e nderuar të jem producente dhe të interpretoj këtë rol, që besoj se do të ketë një ndikim jashtëzakonisht pozitiv te fëmijët dhe publikun në të gjithë botën”.

Source: Televizion