Për shumë kohë u cilësua si filmi i 25-të i James Bond dhe ishte i mbuluar nga misteri. Dihej vetëm se cilët ishin disa nga personazhet dhe se xhirimet po zhvilloheshin në Xhamajkë e Londër. Por, tani, gjithçka ndryshoi.

Një video e publikuar në “Youtube” zbuloi titullin e filmit, “No Time to Die”, dhe zhvillimin e ngjarjeve.

“Bond është tërhequr nga aktiviteti dhe dëshiron të jetojë larg dhunes që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës. Por, kur kolegu i tij Felix Leiter (Jeffrey Wright) e gjen dhe i kërkon ndihmë, Bond do të angazhohet në një mision të fundit”.

Në film, përveç protagonistit Daniel Craig, interpretojnë edhe Rami Malek, Ralph Fiennes, Ben Whishaw, Naomie Harris, Lashana Lynch, Jeffrey Wright, Lea Seydoux e Billy Magnussen.

“No Time to Die” pritet të dalë në kinema më 8 prill 2020.

 

Source: Televizion